|
hulumtues kohëndarje bashkëfjalime | dijeni kontakt |
I ashtuquajturi "Revolucion demokratiko-borgjez", një grusht shtetie diel, 6 kallnor 2008
Ngjarjet e qershorit të 1924 dhe jo vetëm të atij muaji por edhe të atyre në vazhdim janë një pjesë e historisë së shtetit shqiptar, ku për herë të parë shqiptarët rrëzuan me grusht shteti atë që kishin filluar të ndërtonin që prej katër vitesh. Ai që thërritet me të madhe si "Revolucioni i qershorit", nuk është që tjetër veçse një grusht i qartë shteti. Një grusht që rrëzoi një qeveri të zgjedhur nga shqiptarët dhe që e zëvendësoi me një tjetër të zgjedhur mbi tryezë apo me llotari. Për shumë vite ky është quajtur revolucion, revolucioni që do shpëtonte shqiptarët nga gjendja e keqe në të cilën ata ndodheshin, revolucioni që do t'i sillte shqiptarëve liritë e munguara, liritë që po gëzonin shumë nga popujt e tjerë që rrethonin shqiptarët. Ishte revolucion, apo një grusht shteti? Këta burra që ndërmorën këtë lëvizje, e bënë se donin të ndryshonin vërtet diçka tek shqiptarët, apo e bënë se ishin ziliqarë e donin vetëm të ngjiteshin në karriget qeveritare? Do të mundohemi ta sqarojmë më poshtë. Njerëz pa eksperiencë politike, që dështuan që ditën e parë të “revolucionit” të tyre. Zhgënjyen shumë nga mbështetësit, për të mos folur për popullin i cili asnjëherë nuk e mbështeti një lëvizje antiqeveritare si ajo që udhëhoqi zoti Noli me shokë. Zhgënjyen edhe pse kishin një program prej dhjetra pikash, pika që e pranojnë të gjithë, ngjallnin zili. Këtij programi do ti referohemi shumë për të treguar se pse ajo lëvizje nuk mund të quhej revolucion dhe se si midis këtyre “revolucionarëve” është diskutuar dhe janë arritur disa përfundime shkatërruese për shtetin e ri shqiptar. Arkitektët e “revolucionit”Pas një lufte të dështuar në parlament, grupi opozitar vendosi të kalojë në veprime më serioze, rrëzimin e qeverisë me armë. Për këtë u shfrytëzuan shumë pakënaqësi të disa prej figurave më me influencë si në veri dhe në jug. Pakënaqësi këto që do bëheshin dhe tipari kryesor për politikanin shqiptar që nga themelimi i shtetit shqiptar e deri kur Mbreti Zog ndaloi partitë opozitare. Shembullin e dhanë të parët disa nga deputetët konservatorë, të cilët sapo humbën njeriun e tyre në qeveri kaluan në kampin kundërshtar, pra u bashkuan me puçistët. Kur Ismail Tatzatit i kërkohet të japë dorëheqjen nga posti ministror, miqtë e tij deputetë reagojnë në mënyrë të pahijshme, braktisin parlamentin dhe bashkohen me kundërshtarët e tyre.[1] Pra, nuk është shumë e vështirë për t'u kuptuar se pse u bashkuan këta deputetë konservatorë me grupin që donte të rrëzonte qeverinë: sepse ky grup humbi privilegjet që gëzonte nga pasja e një njeriu në qeveri. Nuk iu interesonte aspak se duhej bërë një reformë në gjykatat shqiptare, apo se duhej bërë reforma agrare. Veprimet antiqeveritare nisën në mars, në varrimin e Avni Rustemit, veprime që vunë shumë herë në provë durimin e qeverisë për të ndërhyrë, por edhe të vetë puçistëve për të vepruar. Deri dhe Luigj Gurakuqi ministër në atë moment, bashkëpunëtor i ngushtë i Nolit dhe i Bajram Currit i dhanë “bekimin” këtij grushti shteti.[2] Arsyet e Luigj Gurakuqit dhe Bajram Currit nuk ndryshonin shumë nga ato të deputetëve konservatorë që u larguan nga grupimi i tyre për tu bashkuar me rebelët. Gurakuqi mbronte interesat e lëvizjes së tij “Ora e Maleve” një lëvizje që kishte ngjyra të forta fetare, e cila ishte e pakënaqur nga reformat që kishin nisur për laicizimin e vendit. Me mendimin e tij bashkoheshin dhe myslimanët shkodranë.[3] Kurse Bajram Curri edhe pse paguhej nga qeveria me rrogën e një koloneli në rezervë, kishte pakënaqësi ndaj qeverisë se kjo e fundit kish lejuar të jetonte në Shqipërinë politike, djalin e armikut të tij personal. Pra ishte kundër lejimit të një personi me kombësi shqiptare të jetonte në Shqipëri, për të vetmen arsye se atij nuk i pëlqente.[4] Figura që u bë simbol i këtij revolucioni pa popull ishte Theofan Noli, një figurë shumë e rëndësishme si jashtë, po ashtu dhe në Shqipëri në vitet 20’. Ai ishte figura qendrore në pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve. Me kulturën e një kleriku, Noli u kthye në Shqipëri, pasi kishte marrë pjesë në organizatat shqiptare të diasporës, për tu angazhuar në politikë. Qëndrimi i tij politik ishte ai midis një bolsheviku shkatërrues prone e një kleriku mirëbërës, që nuk përputhej aspak me situatën në Shqipëri, por as me mënyrën e të menduarit të shqiptarëve. -Ne duam të respektojmë popullin, liritë dhe traditat dinjitoze të popullit shqiptar. Ne duam t’i japim popullit liri, jo tirani. Duam të rregullojmë financat e shtetit me kursime dhe jo të shkatërrojmë shtetin me rryshfete dhe taksa. Ne duam të ndërtojmë dhe jo të shkatërrojmë.[5]- Këto ishin fjalët e Nolit para popullit të Gjirokastrës gjatë fushatës elektorale të zhvilluar prej tij. Pothuajse të gjitha si objektiva u përfshinë në programin e tij ambicioz. Por edhe pasi Noli u bë kryeministër i vendit, populli nuk u respektua, por u dërgua në gjykatat speciale të ngritura në çdo qytet, po ashtu dhe liritë e zakonet e tij. Financat e shtetit nuk u rregulluan, niveli i korrupsionit mbeti ai i para “revolucionit”. - Ky vend i çunditshëm nuk ka shok në botë. Këtu shpesh beu mund të jetë një fshatar, fshatari një patric. Këtu ndryshimi midis të pasurit e të varfrit, midis të madhit dhe të voglit, midis të fortit dhe të dobtit, fshihet nga ndjesia e dinjitetit të barabartë, apo dhe përshtatjes.[6] - Ka thënë Noli, por kësaj here jo para turmës, por në një bisedë private. Duke i besuar këtij pohimi të bërë nga vetë Noli, shqiptarët nuk paskan dashur liri, sepse e paskan pasur, nuk paskan qenë të shtypur aspak, sepse e konsideronin feudalin si të barabartë e jo shtypës, dallimi midis beut dhe fshatarit është keqkuptuar nga “demokratët”, i cili ishte në fakt një marëdhënie pune e respektueshme por që ishte e ashpër ashtu siç ishte dhe në të gjithë rajonin. Por ajo që është më interesante për këtë klerik me një karakter krejtësisht të tijin, është ideja e tij për drejtësinë. – Ju nuk mund të bëni përjashtim mik i dashur! – do ti thoshte ai Eqerem bej Vlorës, kur ky i fundi e takon në zyrën e tij – Ç’do njeri i ndershëm në Shqipëri duhet ta provojë së paku një herë burgun!- E çuditshme këtu nuk është se njerëz të pafajshëm në atë qershor e muaj më pas mund të futeshin në burg pa të keq, por është pyetja, Noli vetë a kreu ndonjëherë një ditë të vetme burg?! Nolit i duhet njohur kontributi i madh që i dha vendit, si në krijimin e kishës ortodokse autoqefale, po ashtu dhe në pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, dhe këtu mbarojmë. Por zgjedhja e bashkëpunëtorëve të tij ishte e gabuar, ku u dalluan qartë që të gjithë në momentin kur duhej (pasi rëzuan një qeveri të ligjshme) të formohej qeveria e re. Noli simpatizonte krahinat e Jugut në krahasim me ato të Veriut, ai mendonte se qeveria duhej të përbëhej e gjitha prej figurave të Jugut.[7] Dhe vetë Noli nuk i shpëtoi krahinizmit, i cili ishte shumë i theksuar tek shqiptarët. Një tjetër difekt ky që kënaqi një palë e mërziti një tjetër, që i shtoi armiq dhe midis miqve, por më e rëndësishmja nuk përfshinte gjithë shqiptarët duke e ulur numërin e psesëmarrësve dhe e ktheu idenë e Nolit për revolucion një një grusht shteti. Mënyra se si Noli u largua nuk ishte nga më të mirat. Nëse kishte popullaritetin që pretendonte ai nuk do të largohej fsheurazi e me nxitim. Por turpi më i madh i tij ishte marrja me vete në Itali të arkës së shtetit me një shumë prej 40 mijë stërlinash.[8] Tradhtarë të vërtetëPor midis personazheve që morën pjesë në grushtin e shtetit, oficerët e ushtrisë ishin ata që bënë vërtet të mundur fitoren e “demokratëve”, por që ishin dhe ata që e denigruan akoma më shumë si lëvizje. Duke qenë se populli nuk mori pjesë në “revolucion”, duhej të përdorej ushtria për të përmbysur qeverinë si e vetmja që kishte forcat për ta bërë një gjë të tillë. Dy komandantët e grupeve të veriut dhe jugut, përkatësisht toger Rexhep Shala në Shkodër dhe Kasem Qafëzezi në Përmet me ushtarët e tyre do të ishin bërthama e vërtetë e forcës antiqeveritare. Të dy ishin oficerë të shkollës turke, por si nga pikëpamja profesionale dhe morale ishin dy njerëz shumë të ulët. Aftësia profesionale e dy oficerëve u dallua qartë atëherë kur forca e komanduar prej tyre e rrethuar u la e lirë pa shkrepur asnjë pushkë vetëm për mëshirën e qeverisë.[9] Rasti tjetër kur këta të dy treguan paaftësi ishte dhe momenti i rikthimit të Ahmet Zogut, i cili nuk gjeti aspak pengesë midis ushtarakëve “revolucionarë” po ashtu dhe tek populli që e përkrahu këtë "revolucion". Kurse për moralin e tyre, mjafton të themi se duke qenë se ishin ushtarakë të shkollës turke, ata në momentin e rebelimit duhej të paktën të zhvishnin rrobat ushtarake, ato rroba që iu ishin dhënë nga qeveria që rrëzuan. Të paktën kështu veproi një ushtarak i vërtet si Ataturku kur dhe filloi një revolucion të vërtetë, të cilin e admironte vetë Kasem Qafëzezi. Ky oficer me origjinë prej jugu dhe nga një familje e respektueshme, ishte vendosur komandant i grupit të Jugut me arsyen se ishte konservator në mendime, pra i besueshëm.[10] Por sa dinin këta ushtarakë për dallimin fshatar bejler, apo midis një demokrati e një konservatori, mjafton të tregojmë se ky komandant, ishte bindur për kryengritje vetëm pasi i ishte dhënë një drekë, ose më saktë “u përpunua në një drekë, e u bind për kryengritje”.[11] Kjo do të thotë se oficeri, nuk kishte një ide të qartë për atë që “revolucionarët” do të arrinin apo kërkonin nga qeveria. Ai është mjaftuar, siç dhe do ta shikojmë pas rrëzimit të qeverisë, me postin e ministrit, ashtu siç dhe u mjaftua kolegu i tij i Veriut. Ky oficer karriere tradhtinë e ushtronte pa problem. Pasi tradhtoi qeverinë e parë, nuk e kishte aspak problem të rebelohej edhe me qeverinë Noli. Kjo tradhti e rradhës e Kasem Qafëzezit me grupin e tij, konsiderohet nga një bashkëkohës e bashkëpunëtor i Nolit, si një grusht shteti.[12] Pra ky konsiderohet grusht shteti, kurse ai që solli në pushtet Nolin e Gurakuqin nuk është grusht shteti por "revolucion", kur për më tepër personat si në të parin dhe në të dytin puç janë po ata. Por kjo nuk do të thotë se të gjithë oficerët e ushtrisë në atë kohë, pranuan të merrnin pjesë në këtë rebelim, sepse shumë e kuptuan se bëhej fjalë jo për programe me përmbajtje përmisimin e jetës së shqiptarëve, por për një grusht shteti që do zëvendësonte ministra të zgjedhur me ministra puçistë.[13] Dikush do të thotë se ushtria mori pjesë në rebelimin e “demokratëve” sepse, po të mos i jepej fund kaosit vendi do të bëhej një pre e lehtë për vendet fqinje, të cilat kishin gjithmonë një qëndrim armiqsor ndaj Shqipërisë. [14] Nëse kjo është e vërtetë, këta oficerë nuk kanë qenë aspak të përgjegjshëm, sepse duke marrë pjesë në grushtin e shtetin bënë pikërisht atë që “donin të shmangnin”, shtynë Zogun në duart e Jugosllavisë. Forcat “revolucionare” kur iu drejtuan Tiranës, kishin në përbërjen e tyre edhe vullnetarë civilë. Numri i tyre ishte përkatësisht: 120 nga Përmeti, 110 nga Skrapari, 480 nga Shkodra, 100 nga Vlora, 600 nga Dibra.[15] Duke konsideruar që Shqipëria në atë kohë kishte një popullsi mbi një milion, forcat civile kanë qenë shumë të vogla (1410) e një numër kaq i vogël nuk përfaqësonte vullnetin e gjithë shqiptarëve. Vetëm pesë qytete nuk tregojnë se kryengritja ishte e mirëpritur tek shqiptarët, sidomos kur me Dibër, apo Shkodër, nuk duhet të nënkuptojmë se forcat vini nga qyteti brenda, por nga rrethi i Dibrës, apo i Shkodrës. Ato për nga numri i vogël tregojnë qartë se ishin forca të kontrolluara nga persona me influencë që i paguanin nga xhepi i tyre, si në rastin e Isa Boletinit. Programi i shpëtimitBëhet fjalë për programin që Noli paraqiti para shqiptarëve si një programi të plotë i cili do ta nxirrte vendin nga gjendja e mjerueshme ku ndodhej. Programi, i quajtur me të madhe, nga shumë studiues, si ambicioz, nuk është gjë tjetër veçse një program disa pikash që është kopjuar diku në perëndim, ku “financat e shtetit rregulloheshin vërtet”, i kopjuar sepse ndryshe nuk kishte si të dështonte në të gjithë pikat e tij. Kjo afërmendsh do të thotë se ishte “bërë” duke mos patur aspak parasysh situatën në Shqipëri në vitet 20’. Me anë të këtij programi do tregojmë edhe më qartë se pse ky nuk ishte një revolucion, por një grusht shteti, apo se këta burra që e drejtuan nuk e bënë për të ndihmuar shqiptarët por për interesa të ngushta personale. Programi është i mangët dhe aspak ambicioz, siç mund të quhet. Si mund të kërkosh gjithë ato reforma pa kërkuar më parë personat që do t'i vinin në zbatim këto reforma?! Është paraqitur si i domosdoshëm zëvendësimi i nëpunësve, por nuk parashikohet se me cilët do të zëvendësoheshin këta nëpunës. Nuk gjykohet aspak si e nevojshme në program që rinia shqiptare të arsimohej diku jashtë në perëndim, që të krijonte vërtet një shtresë nëpunësish jo të korruptuar, por zbatimi u mjaftua me zëvendësimin e të korruptuarve me më “patriotët”. Shkurtimi i burokracisë e pakësim/pastrimi i nëpunësve. Në emërimin e tyre do të merret parasysh, përveç zotësisë e moralit, edhe patriotizmi i tyre. Të shkurtosh një burokraci e të pastrosh nëpunësit në një vend me % analfabetizmi shumë të lartë është shkatërruese për një shtet në formim e sipër. Këtu po sjellim vetëm pak nga pikat e programit, ato që mjaftojnë për të treguar kundërshtitë që e shoqëronin. Asnjë nga pikat e tij nuk u vu në zbatim, asnjë! Prandaj dhe nuk meritojnë të trajtohen. Nëse nuk u zbatuan për rrethana që nuk kishin të bënin aspak me punën e bërë apo të mos bërë nga qeveria, do të thotë se shoqëria shqiptare nuk ishte gati për programe të kopjuara nga jashtë. Çarmatim i përgjithshëm dhe papërjashtim.[16]Në një situatë si ajo ku ndodhej Shqipëria kjo ishte pikë e rëndësishme, por a u çarmatosën forcat e Bajram Currit pasi qeveria Noli kishte ardhur në pushtet? A lejoi Bajram Curri që të mbetej pa forcat e veta? Lartësimin e autoritetit të shtetit mbi çdo fuqi personale ose ekstralegale.[17] Vetëm pas pak kohësh Noli jep shembullin se si e mendonte ai drejtimin e shtetit në mënyrë demokratike, ai merr atributet e Këshilli të Regjencës më 2 korrik 1924. Pa Parlament e pa Këshill Regjence kush do ta ndalonte Nolin të kthehej në një diktator? Dënimi i shkaktarëve të kësaj vëllavrasjeje dhe agjentëve të tyre kryesorë me ekspulsim dhe konfiskim të pasurisë ose me ndëshkime të tjera simbas masës së përgjegjësisë së secilit.[18] Kjo e konsideruar si një gjë e rëndësishme nga puçistët ishte pika e dytë e programit. Po të ripërsërisim një paragraf të një bashkëkohësi të asaj lëvizjeje, forcat qeveritare rrethuan forcat kryengritëse dhe vetëm për mos të bërë vërtet vëllavrasje i lanë të lira. Qeveria po sipas tij kishte forcat e mjaftueshme për ta shtypur këtë kryengritje rebelësh.[19] Pra kush do dënohej, kush i kishte shkrepur armët, e kush kishte hezituar për të mos vrarë shqiptari shqiptarin? Ristabilizim i qetësisë, i rregullës dhe i mbretërimit të ligjës.[20] Pika e tretë e programit. Dhe si u zgjidh kjo, u zgjidh me krijimin e gjykatave speciale, gjykata që nuk respektuan të drejtat themelore, ato të drejta që “demokratët” mbronin me zë të lartë. Noli dhe grupi i tij arriti të mbizotëronte që në program të shtohej edhe reforma agrare, por do të pranonte se u kthyen në pakicë kur erdhi puna për ta zbatuar në të vërtetë.[21] Kush ishte kundër reformës agrare, ata që kishin tokë dhe ata që kishin tokën ishin feudalët, ata që Noli donte ti shfarroste i kishte bashkëpunëtorë. Por në një revolucion është populli ai që vendos pasi merr pjesë i gjithi dhe Noli me vullnetin e popullit mund të mposhte feudalët, por Noli nuk e kishte popullin nga pas, prandaj ai ishte një grusht shteti e jo një revolucion! Si përfundim, organizatorët e grushtit të shtetit u shpërblyen me poste ministore, dështuan në zbatimin e programit, bashkëpunuan me feudalë të mëdhenj dhe tradhtuan çështjen që i bashkoi në të. Nëse kishin përkrahjen e popullit atëherë pse detyrohen të pushtojnë qytetet, apo kur Ahmet Zogu rikthehet askush nga populli nuk e kundështon atë? Oficerët që ndihmuan në rrëzimin e qeverisë, të shtyrë nga gjendja e vështirë ku ndodhej vendi, sepse ndryshe shtetet fqinje mund të bëheshin të rrezikshme, ndihmuan akoma më shumë që influenca e huaj të rritej. Ata përshpejtuan vendimin që Ahmet Zogu të kërkonte tashmë ndihmë tek Jugosllavia. BibliografiaVlora, Eqerem. Kujtime 1885-1925. Përkth Afrim Koçi. Tiranë, SHLK: 2003.Austin. Robert C. Shtegu i pashkelur i Nolit. Perkth Lindita Bubësi. Tiranë, Albin: 2003. Fisher, Bernard J. Mbreti Zog dhe përpjekja për stabilitet. Përkth Krenar Hajdëri. Tiranë, Çabej: 1996. Vllamasi, Sejfi. Ballafaqime politike në Shqipëri. Tiranë, Neraida 2000. Shënime:1. Eqerem bej Vlora, Kujtime 1885-1925, f. 510 Dana: Shqipëri
|
|
| drejtbotimi © 2008 mesdimr |