hulumtues   kohëndarje   bashkëfjalime  dijeni   kontakt

Kryengritja e Klitit

e mërkurë, 2 kallnor 2008

Në vitin 335 p.e.s, një pjesë e mirë e tokave të mbretërisë ilire ishin nën sundimin e mbretërisë maqedonase. Po bëhej viti që mbreti Filip i Maqedonisë kishte vdekur. Në këtë kohë, të gjithë menduan se me Filipin merrte fund edhe hegjemonia maqedonase, por, siç tregoi koha, gaboheshin. I biri i tij, Aleksandri III, bashkë me fronin do të trashëgonte edhe vasalitetin mbi ilirët. Kohën kur Aleksandri rregullonte situatën në veri të Maqedonisë, në mënyrë që të mos kishte probleme me fiset që banonin në ato territore pasi të nisej për fushatën Persiane, Kliti e mendon si momentin më të përshtatshëm për t’i larguar maqedonasit nga Iliria.

“SHKËPUTJA” E KLITIT

Edhe pse ishte në krah të të atit të tij, Bardhylit, kur ky i fundit zhvilloi betejën e vitit 356 p.e.s kundër Filipit, Kliti nuk e trashëgoi vendin që i takonte pas vdekjes së të atit. Anamali dhe të tjerë përmendin si mbretër të ilirëve, pas Bardhylit, Grabon dhe Pleurian (Akademia e Shkencave, Historia e Popullit Shqiptar I 69-70). Këta ishin mbretër të fiseve të veçanta që arritën deri në fronin e mbretit të ilirëve dhe të dy zhvilluan luftra me Filipin.

Kliti gjatë gjithë kësaj kohe duhej të ketë qenë strehuar tek mbreti i taulantëve. Mendoj se ka qenë e vështirë për Klitin të rrinte tek Grabo dhe Pleuria dhe t’i shikonte mbretër në vend të tij. Ariani shkruan se ka një shkëputje të Klitit (Ariani 235) me çka mund të kuptohet shkëputja e tij prej vasalitetit. Kliti mundet ta ketë fituar fronin duke luftuar edhe kundër Pleurias, gjë që është pak e mundur, por nuk përjashtohet që fronin e ka fituar duke pranuar vasalitetin. Gjithsesi, me mbretin Filip gjallë, Kliti, si pinjoll i njërit prej kundërshtarëve më të mëdhenj të tij, do ta kishte shumë të vështirë të ngjitej në fronin e mbretit të ilirëve. Vdekjen e tij ai e priti në oborrin taulant, ndërsa i fshihej Filipit. Vrasja e Filipit kësisoj, duhet ta ketë kënaqur dhe patjetër ndezi tek Kliti dëshirën dhe ambicien për të fituar mbretërinë e humbur, edhe pse në një moshë kur mund t’i lejohej vetëm një betejë e fundit (Kliti mund të ketë qenë rreth 65 vjec në vitin 335 p.e.s.) Ndërkohë, për Aleksandrin e ri në moshë, ardhja në fron e pasardhësit të kundërshtarit të urryer të të atit nuk përbënte një shqetësim të veçantë. Fakti që Aleksandri nuk e kishte në vëmendje Klitin, përbënte një nga avantazhet e pakta të Klitit.

Nëse mbretëria e që Bardhyli kishte krijuar përbëhej nga një konfederate fisesh dhe Bardhyli vetë quhej mbret i ilirëve, atëherë froni është parë me shumë lakmi në këtë kohë sepse, siç e pamë edhe më lart, ishin të paktën dy dinasti që e pretendonin. Froni mund të jetë parë me zili edhe nga Glaukia, një mbret i ri dhe ambicioz, person tek i cili Kliti do të gjente mbështetjen më të madhe për realizimin e fushatës kundër maqedonasve.

Që nga hipja në fron, Kliti ka menduar për kryengritje. Por, me vendin e shkatërruar, ai e kishte të vështirë të mblidhte forca ushtarake të konsiderueshme për të përballuar forcat maqedonase. Nga ana tjetër, mendoj që Kliti duhet të jetë treguar realist në vlerësimin e fuqisë së pakundërshtueshme të ‘makinës së luftës’ që Filipi kishte lënë trashëgimi. Një faktor që mund t’i ketë dhënë shpresë duhet të ketë qenë anarkia e krijuar pas vdekjes së Filipit dhe bindja se Aleksandri do të gjendte vdekjen në fushatat që organizonte për shkak të natyrës së tij të rrëmbyer.

ALEANCAT E KLITIT

Për aq kohë sa zgjati mbretërimi i Klitit, ky i fundit u kujdes që të gjente menjëherë aleatë kundër Aleksandrit. Territori që Kliti kontrollonte duhej të ketë qenë shumë i ngushtë. Aleatët e Klitit nuk e kalonin territorin e mbretërisë dhe fiseve ilire.

Taulantët

Taulantët ishin aleatët natyralë të enkelejve, nëse sipas Livit (XLV 26) e Pompon Melës (II 56) taulantët ishin fqinjë me dasaretët e enkelejtë (Ceka 191-192). Qëndrimi i gjatë i Klitit tek taulantët do të bashkonte interesat e këtyre dy fiseve. Taulantët, në këtë kohë, tregojnë se zotëronin një forcë të konsiderueshme. Mbret i tyre ishte Glaukia, i cili, në momentin e aleancës me Klitin, duhej të ketë qenë shumë i ri. Kur Ariani tregon për ilirët e për pozicionet e mira që kishin, numëron se midis tyre kishte reparte shigjetarësh, hobetarësh, hoplitësh madje edhe kalorësie. Kjo duhet të ketë qenë bërthama e ushtrisë taulante.

Një nga gjërat që ka habitur Aleksandrin është numri i forcave taulante. Kur ky ka menduar të rregullojë situatën në shpinë të Maqedonisë, si kërcënuese ka konsideruar vetëm pjesën në veri dhe aspak pjesën perëndimore, pra atje ku ndodheshin enkelejtë dhe taulantët. Bën çudi fakti që trupat taulante nuk e shoqërojnë si forca aleate në pushtimin e Pelionit dhe nuk gjenden as kur Kliti do t’i japë betejë Aleksandrit disa ditë mbasi ishte marrë edhe qyteti. Si duket midis Klitit dhe Glaukisë ka patur mosmarrëveshje dhe kjo shpjegohet edhe me diferencën e madhe që kishin në moshë pra, edhe në mënyrën e të menduarit ose Glaukia ishte i pavendosur për t’u angazhuar në luftë pasi, edhe nëse përfundimi do të ishte pozitiv, mbret do të ishte Kliti.

Autariatët

Sipas Strabonit territori i autariatëve ndodhej pikërisht midis fiseve të veriut (tribalëve, paonët, agrianët) dhe fiseve të taulantëve dhe enkelejve. Autariatët ishin një nga fiset më të fuqishme ilire, ata ishin mësuar me luftën pasi e zhvillonin në mënyrë të pandërprerë. Aleksandri mund të kishte zgjedhur një rrugë edhe më të sigurt, por rruga që kalonte përmes autariatëve ishte e vetmja mënyrë për të arritur shpejt. Sipas Kurt Rufit, këta kishin ndërhyrë në çështje që nuk i përkisnin dhe kjo patjetër duhet të ketë ndodhur me shtytjen e Klitit. Autariatët do t’i binin ushtrisë maqedonase në momentin kur këta të drejtoheshin për në Iliri (Akademia e Shkencave, Ilirët dhe Iliria tek autorët antikë 186).

Përfshirja e autariatëve në lëvizjen antimaqedone i interesonte Kliti jo vetëm për pozitën, por edhe për shpirtin e tyre luftarak. Kjo i shkonte ndërmend Klitit në kohën kur Aleksandri luftonte kundër fiseve të veriut. Ai (Kliti) ka menduar se po të merrte vesh Aleksandri për kryengritjen (siç edhe ndodhi) dhe t’i vihej kundër, autariatët do ta pengonin, ose, nëse ishte e mundur ta vononin dhe ta kthenin në të padëmshëm.

Autariatët u mundën shumë shpejt dhe aspak prej dorës së Aleksandrit, por prej mbretit të agrianëve, Longarit (Akademia e Shkencave, Ilirët dhe Iliria tek autorët antikë 186). Këta e braktisën lëvizjen sepse mendoj se nuk panë tek kjo asnjë interes, përveçse humbje njerëzish.

Dasaretët

Fisi i dasaretëve ishte drejpërdrejt i prekur nga sundimi maqedonas. Krahina e tyre ka qenë fushë beteje midis ilirëve dhe maqedonasve. Kliti shfrytëzoi antipatinë që dasaretët kishin për maqedonasit, mbase duke i joshur me faktin se, nëse maqedonasit mundeshin, të gjithë kishin diçka për të fituar.

PUSHTIMI I PELIONIT

Aleksandri ishte në luftë me tribalët kur Kliti i drejtohet me qëllim pushtimin qytetit më të fortifikuar të dasaretisë Pelionit (Akademia e Shkencave, Ilirët dhe Iliria tek autorët antikë 235). Zgjedhja e këtij qyteti nga Kliti ka qenë tepër strategjike. Ky qytet ndodhej pikërisht në kufi me territoret e fisit të taulantëve. Malet e këtij fisi përfundonin pranë Pelionit nga ku do të shfaqej edhe Glaukia me ushtarët e tij.

Në qytet, prej kohësh qëndronte një garnizon maqedonas. Nga kjo mund të përcaktojmë se deri ku ishin shtyrë forcat maqedonase e se çfarë territori kontrollonin realisht forcat e tyre. Kliti nuk ka pasur mundësi ta rrethonte qytetin dhe ta detyronte garnizonin maqedonas të dorëzohej, nuk kishte kohë dhe forca aq më tepër që, për të marrë një qytet si Pelioni duheshin makina lufte që Kliti nuk i kishte. Pra, nuk ka pasur rrethim apo luftime jashtë mureve. Çdo gjë ka ndodhur brenda në qytet ku vetë popullësia ka eleminuar garnizonin.

Marrja e qytetit ka qenë një nga sukseset e Klitit ai tashmë kishte një pikë nga ku mund ta kontrollonte situatën i qetë, madje, edhe të rekrutonte ushtarë për çështjen e tij. Numri i ushtarëve duhej të jetë rritur mbasi Klitit i shkon ndër mend edhe beteja në fushë me Aleksandrin. Është i gabuar mendimi se Kliti, mbasi pushtoi Pelionin, dëshironte të pushtonte edhe Maqedoninë. Kjo shkonte shumë larg mundësive të tij.

Një fli kushtuar Medaurit

Medauri ishte një nga hyjntë ilire. Ai nderohej pothuajse në të gjithë territorin e banuar nga ilirët, por me atribute të ndryshme në krahina të ndryshme (Stipceviq 213). Në rastin tonë, ai ka pasur atributet e hyjnisë së luftës.

Të rreshtuar në fushën e betejës, Klitit dhe ilirëve të tjerë u mbetej të bënin edhe gjënë e vetme që kishte ngelur për të bërë, flinë për hyjninë e tyre të luftës. Situata donte që flijimi të mos ishte si herët e tjera. Kësaj rradhe, hyut po i kushtoheshin jetë njerëzore (Akademia e Shkencave, Ilirët dhe Iliria tek autorët antikë 235). Tre djem, tri vajza të reja dhe tre desh të zinj u gjetën të therur nga ushtria e Aleksandrit në momentin kur Kliti braktis fushën dhe strehohet përseri në qytet.

Flijimi i jetëve njerëzore, në atë kohë, bëhej vetëm në raste shumë të rëndësishme, pra kur Kliti ka dashur të ndeshet ka kuptuar dallimin e madh mes ushtarëve të mbledhur shpejt dhe falangës maqedonase që prej shumë kohësh nuk po gjente rival. Më i çudituri nga të gjithë maqedonët që panë atë skenë ka qenë Aleksandri. Ky u kushtonte fli hynive shumë shpesh (dhe përditë kur kaloi në Azi), por kurrë jetë njerëzish (Vajgal 20).

BETEJA

Kur ilirët shikojnë se nuk mundin ta përballonin armikun, braktisin fushën e betejës duke lënë edhe flitë aty. Një pjesë strehohet në qytet, kurse Kliti në malet përreth qytetit. Menjëherë, Kliti dërgon dikë tek Glaukia që ta shpejtojë ardhjen e tij, ndërkohë që ishte errësuar dhe duhej të pritej e nesërmja. Glaukia mbërriti duke e shtuar numrin e ilirëve të dy bashkë me Klitin rreshtohen në formacione që, bashkë me forcat brenda në qytet, do t’i binin Aleksandrit nga dy krahë. Aleksandri, për të evituar këtë gjë, ngre një mur përpara portave të qytetit që kushdo të ishte brenda të mos kishte mundësi të dilte (Akademia e Shkencave, Ilirët dhe Iliria tek autorët antikë 235).

Marrja e qytetit nuk mund të organizohej me ilirët që zotëronin vendet kyçe përreth qytetit dhe me ata brenda që ishin një tjetër kërcënim për maqedonasit. Këtë situatë Aleksandri nuk mund ta pranonte sidomos kur po i mbaronin edhe furnizimet. Vështirësitë e Aleksandrit u kuptuan nga ilirët brenda e jashtë qytetit si një çast që duhej shfrytëzuar shpejt. Kur maqedonasit në formacion po i largoheshin rrethimit, ushtarët ilirë brenda qytetit vihen në ndjekje. Aleksandri mbron tërheqjen e falangës me anë të kalorësisë e cila i hapte rrugë dhe i mbronte krahët. Ai bën që ilirët të dorëzonin vendet që kishin. Ushtarët e Glaukisë nuk bënë aspak rezistencë kundrejt maqedonasve të cilët, të sfilitur nga betejat e një marshim qindra kilometrash, ata (ilirët) braktisnin pozicionet sapo kundërshtarët afroheshin. Epërsia që kishin ilirët qëndronte në pozicionet që kishin dhe këtë epërsi nuk mundën ta shfrytëzonin, mendoj, për mungesë koordinimi midis atyre që do të sulmonin mbraparojën maqedonase dhe atyre që sulmonin pararojën.

Aleksandri mundi ta nxjerrë të paprekur ushtrinë e tij nga rrethimi falë gjenisë së tij, por kjo ishte hera e parë që largohej nga fusha e betejës kundër vullnetit të tij. Ndryshe ilirët që, megjithëse nuk mundën ta ndiqnin kundërshtarin, po i kënaqeshin këtij barazimi. Për një moment, Kliti pa të realizuara ëndrrat e tij. Me Aleksandrin që largohej, ai ishte zot në vend të tij dhe s’mund ta mendonte që çdo gjë do të shkatërrohej shumë shpejt.

Aleksandri që e kishte mësuar veten të mos pranonte asgjë që në sy të botës vinte në dyshim gjeninë e tij ushtarake, sapo merr vesh se ilirët ishin fushuar në mënyrë të çrregullt kthehet përsëri mbas 3 ditësh dhe shfrytëzon momentin e pakujdesisë së ilirëve. Aleksandri mbaron atë për të cilën kishte ardhur, ushtria ilire shkatërrohet dhe Kliti strehohet edhe një herë në qytet, por kur shikon se kësaj rradhe Aleksandri do të përdorte makinat e luftës, heq dorë së qëndruari aty, i vendos flakën qytetit dhe nxiton të strehohet përsëri tek Glaukia.


PËRFUNDIME

Një nga kundërshtarët më të mëdhenj të Kliti ishte koha. Ai nuk pati mundësi të organizohej. Nga ana tjetër, fati i vuri Klitit për kundërshtar një prej gjenive ushtarakë më të mëdhenj që ka njohur bota, Aleksandrin. Të gjithë e dinin që trashëgimtari i Filipit do të ndiqte rrugën e babait dhe do të zhvillonte fushatën antipersiane. Kjo do t’i krijonte mundësi çdokujt në vend të Klitit që, me Aleksandrin jashtë Maqedonisë, ta kishte shumë të lehtë të hiqte zgjedhën maqedonase.

Por kjo s’mund të ndodhte me Klitin, të cilit mosha nuk ia lejonte. Nxitimi për të gjetur sa më shpejt aleatë i bëri këta të fundit të mos i kuptonin drejt qëllimet e tij, sidomos kur situata në Iliri nuk u garantonte aleatëve ndonje siguri nga forcat maqedonase. Megjithatë, kryengritja e Klitit ishte e rëndësishme në parim, pasi ajo arriti të organizonte për një qëllim të përbashkët të paktën tre nga fiset më të mëdha ilire.

Bibliografi

Armando Boce
Dana: Iliri

drejtbotimi © 2008 mesdimr