hulumtues   kohëndarje   bashkëfjalime  dijeni   kontakt

Lufta diplomatike rreth pavarësisë shqiptare në 1912-13

e premte, 7 mars 2008

Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë nga Kuvendi i Vlorës u bë shkak për një luftë diplomatike të ashpër. Bisedimet mbi këtë çështje zgjatën disa muaj me radhë, prej dhjetorit 1912 e deri në gusht 1913. Protagonistët kryesorë të kësaj lufte ishin padyshim fuqitë e mëdha të kohës.

Por Qeveria e Përkohshme e Vlorës e kryesuar nga Ismail Qemaii nuk qëndroi duarkryq përballë kësaj lufte. Përkundrazi, ndonëse me forca të pabarabarta, ajo mori pjesë aktive duke dhënë kështu një kontribut shumë të çmuar në përpjekjet për sigurimin e pavarësisë shqiptare.

Shpallja e pavarësisë ishte në vetvete një akt me një rëndësi shumë të madhe politike. Por ky akt nuk mjaftonte për të shpëtuar Shqipërinë. Vendi i ynë ishte bërë pika e kryqëzimit jo vetëm të lakmive të fuqive të mëdha evropiane, por edhe të orekseve shoviniste të shteteve të reja të Ballkanit. Prandaj pavarësia e Shqipërisë nuk kishte dalë aspak jashtë rrezikut. Bile mund të themi se rreziku i copëtimit të vendit nuk kishte qenë asnjëherë më i madh se sa lë periudhën e parë pas shpalljes së pavarësisë.

Pikërisht këto rrethana kishte parasysh Qeveria e Vlorës kur iu përvesh punës për të zhvilluar një veprimtari diplomatike mjaft të gjerë.

Veprimtaria diplomatike e Qeverisë së Vlorës u zhvillua në këto drejtime kryesore.

1) Në krye duhen përmendur përçapjet e Qeverisë së Vlorës për të siguruar njohjen ndërkombëtare të shtetit të ri shqiptar. Në të vërtetë kjo është një nga detyrat kryesore të politikës së jashtme të çdo shteti që lind rishtazi.

Në kohën kur u shpall pavarësia e Shqipërisë, kjo çështje varej shumë nga vullneti i fuqive të mëdha. Natyrisht nuk është e drejtë të mendohet se njohja e pavarësisë mund të arrihej me anë të një «dekreti» të thjeshtë të fuqive. 50 vjet më parë, sikurse sot, ajo që vendoste në fund të fundit ishte lufta çlirimtare e çdo populli që donte të krijonte shtetin e vet të pavarur. Përsa u takon shqiptarëve, ata e kishin bërë luftën e tyre, luftë që pati kulmin e saj në kryengritjet e mëdha të vitit 1912 dhe kurorëzimin në vendimin e Kuvendit të Vlorës të 28 nëndorit 1912. Por mbetej që pavarësia shqiptare të kalonte “provën” e vështirë përpara “aeropagut” të fuqive.

Për këtë qëllim Ismail Qemali, në cilësinë e tij si kryetar dhe ministër i jashtëm i Qeverisë së parë shqiptare, iu drejtua menjëherë 6 fuqive të mëdha evropiane: Anglisë, Francës, Gjermanisë, Rusisë, Austro-Hungarisë dhe Italisë. Në telegramin e dërguar me 28 nëndor, pasi njoftonte për shpalljen e pavarësisë politike të Shqipërisë nga një kuvend përfaqësues i popullit shqiptar dhe për formimin e qeverisë së përkohshme, Ismail Qemali, u bënte thirrje atyre që ta “njihnin këtë ndryshim politik të jetës së kombit shqiptar”.

2) Në veprimtarinë diplomatike të Qeverisë së Vlorës një vend me rëndësi zënë edhe përçapjet me anën e të cilave ajo përcaktoi pozitën e saj në luftën që po zhvillohej n'atë kohë midis Turqisë dhe aleatëve ballkanikë. Lufta po zhvillohej në disfavorin e Turqisë. Nën presionin e trupave të aleatëve ballkanikë forcat turke ishin kudo në tërheqje. Duke vazhduar përparimin e tyre trupat serbe ishin futur në tokë shqiptare dhe në fund të nëndorit kishin arritur deri në Durrës. Me 29 nëndor Ismail Qemali iu drejtua me një telegram komandës së ushtrisë serbe në Durrës, me anën e të cilit protestonte kundër invadimit të tokës shqiptare duke e cilësuar atë si “një agresion kundër një vendi të pavarur, i cili nuk dëshëronte të ishte në luftë me Serbinë”.

Problemi u shtrua edhe në raport me Greqinë, si një palë tjetër kjo e luftës Ballkanike. Bile ky u bë një problem shumë i ngutshëm dhe i komplikuar në dhjetor 1912 — janar 1913, atëhere kur Greqia nuk pranoi armëpushimin me Turqinë dhe i vazhdoi sulmet e saj në drejtim të Janinës dhe krahinave jugore të Shqipërisë. Ky ka qenë një nga preokupimet kryesore të Qeverisë së Vlorës, qoftë në veprimtarinë e saj brenda vendit qoftë në veprimtarinë e saj diplomatike. Vendimet e saj lidhur me këtë çështje shkojnë që nga thirrjet drejtuar organeve lokale për rezistencë kundër “armikut” e deri tek masat për t'u shkuar në ndihmë forcave turke që mbronin Janinën.

Mos do të thotë kjo se kundrejt Greqisë Qeveria e Vlorës vendosi të ndiqte një politikë tjetër, jo politikën e neutralitetit, por atë të pjesëmarrjes në luftë? Jo. Është ë vërtetë se ajo u përzie deri diku në konfliktin greko-turk në sektorin jugor. Por këtë e bëri vetëm e vetëm për vetëmbrojtje. Janina ishte pika kryesore e rezistencës në frontin jugor. Rënia e saj donte të thoshte rënie e gjithë krahinave jugore të Shqipërisë.

Qëllimin e Qeverisë së përkohshme për të ndjekur politikën e neutralitetit edhe kundrejt Greqisë, Ismail Qemali e pati shprehur më se një herë, si në thirrjet drejtuar fuqive të Evropës, ashtu edhe në përçapjet e tij pranë vetë qeverisë greke.

3) Një moment tjetër me rëndësi në veprimtarinë diplomatike të Qeverisë së Vlorës ka qenë dërgimi i dy delegacioneve zyrtare për të parashtruar pikëpamjen shqiptare në Konferencën e Londrës.

Vetë fuqitë nuk e ftuan popullin shqiptar që të dërgonte përfaqësuesit e tij në Konferencë. Kjo ishte një padrejtësi që i bëhej popullit tonë, sepse shtetet fqinje të Ballkanit kishin përfaqësuesit e tyre në Londër, që i çfaqnin lirisht para konferencës pretendimet e tyre për ndarjen e tokave shqiptare

Për këtë arësye ishte e domosdoshme që në konferencë të dëgjohej edhe zëri i Shqipërisë. Qeveria e Vlorës në fund të dhjetorit vendosi të dërgonte një delegacion të sajin, qoftë edhe pa ftesë.

Qeveria ishte detyruar të vepronte në rrethana shumë të vështira. Gjithë bregdeti i ynë jugor ishte bllokuar nga anijet greke. Është e qartë se asnjë delegacion nuk mund të nisej nga Shqipëria. Prandaj u vendos që të caktoheshin si delegatë disa shqiptarë që ndodheshin jashtë në Francë dhe Itali. Këta shkuan menjëherë në Londër dhe i paraqitën Konferencës së ambasadorëve me 2 janar 1913 një memorandum në emër të Qeverisë shqiptare.
Delegacioni i dytë u nis në pranverë të vitit 1913 në rrethana akoma më dramatike. Çështja shqiptare vazhdonte të ishte në qendër të tratativave, që zhvilloheshin midis përfaqësuesve të fuqive të mëdha. Jehona e bisedimeve të Londrës. duke mbërritur deri në Shqipërinë e izoluar, tregonte se punët po merrnin një rrugë të keqe për interesat e vendit tonë: një pjesë e madhe e territorit kombëtar ishte në rrezik të cungohej. Përballë këtij rreziku u pa krejt e nevojshme që zëri i Shqipërisë të çohej edhe njëherë në Evropë nga një delegacion i nisur drejt për së drejti nga Vlora. Por nuk ishte gjë e lehtë, sepse anijet greke nuk e kishin hequr bllokadën. Vetëm rasti ndihmoi që t'arrihej qëllimi. Aty nga fundi i marsit, në gjirin e Vlorës u duk një jaht me flamurin anglez në bordin e të cilit ndodhej një pinjoll i familjes së Burbonëve të Francës, Duka De Monpensier. Në bisedimet që pati me I. Qemalin, Duka propozoi kandidaturën e tij në fronin e Shqipërisë. I shtyrë, sigurisht, nga dëshira për t'i bërë me vete krerët e Qeverisë Shqiptare, ai pranoi të merrte I. Qemalin në jahtin e tij për ta zbritur në Itali. Kështu në fillim të prillit I, Qemali u nis bashkë me Luigj Gurakuqin dhe Isa Boletinin. Të tre vizituan Romën, Vienën, Parisin dhe Londrën, por nuk gjetën përkrahjen që shpresonin.

Po të duam të japim një gjykim të përgjithshëm mbi veprimtarinë diplomatike të Qeverisë së Vlorës, duhet të themi se ajo ka pasur këtë qëllim kryesor: të merrte Shqipëria sa më shpejt tiparet e një shteti më vete dhe të organizuar, të përcaktohej në mënyrë sa më të plotë pozita ndërkombëtare e Shqipërisë përpara hapjes së Konferencës dhe të vihej kjo Konferencë përpara faktit të kryer.

Arena kryesore e luftës diplomatike që u zhvillua rreth pavarësisë shqiptare, ka qenë Konferenca e ambasadorëve të 6 fuqive. Dihet se këto fuqi ishin të ndara në dy blloqe të mëdha antagoniste: Gjermania, Austro-Hungaria dhe Italia ishin bashkuar prej kohësh në Tripalëshin, kurse Anglia Franca dhe Rusia kishin formuar Antantën. Kuptohet, pra, se çdo gjë që shtrohej në arenën ndërkombëtare fuqitë e shikonin nën prizmin e kontrastit të interesave me njëra-tjetrën si dhe të luftës midis dy blloqeve të kundërta.

Kësaj nuk i shpëtoi dot as çështja shqiptare. Përsa i përket politikës së fuqive në çështjen shqiptare, në këtë kohë vëmë re dy tendenca kryesore: Njëra e përfaqësuar nga Austro-Hungaria dhe e përkrahur sidomos nga Italia, që ishte për pavarësinë e Shqipërisë dhe për një Shqipëri -të madhe-. Tjetra e përfaqësuar nga Rusia cariste dhe e përkrahur sidomos nga Franca, që ishte për copëtimin e tokave shqiptare midis shteteve të Ballkanit. Natyrisht është gabim të mendohet se të parat niseshin nga interesat e popullit shqiptar, kurse të dytat nga ato të vendeve të tjerë të Ballkanit. Sa është e vërtetë se Rusia përpiqej për shtrirjen e influencës së saj nëpërmjet zmadhimit të shteteve “sllave”, po aq e vërtetë është se Austro-Hungaria donte t'i vinte fre vërshimit të “sllavizmit” në Ballkan dhe Shqipërinë e pavarur e mendonte pikërisht në funksion të kësaj politike.

Sidoqoftë, këto dy tendenca nuk mund të mos çfaqeshin edhe në Konferencën e Londrës, e cila që ditën e parë që u mblodh me 17 dhjetor 1912 mori në shqyrtim çështjen shqiptare. Pas nja tri ditësh, me 20 dhjetor, në shtyp doli një komunikatë e ambasadorëve në të cilën thuhej se qeveritë e fuqive të mëdha kishin rënë dakord për “autonominë” e Shqipërisë. Lidhur me këtë ka qenë përhapur mendimi, si në vendin tonë ashtu edhe jashtë, se në vendimin e saj të 17 dhjetorit Konferenca njohu pavarësinë e Shqipërisë.

Mirëpo kjo nuk është e saktë. Po t'i hedhim një sy vetë tekstit të vendimit të 17 dhjetorit shikojmë se si pikë kryesore e tij ishte kjo: “Krijohet një Shqipëri autonome, e aftë për të jetuar, nën garancinë dhe kontrollin ekskluziv të Fuqive të mëdha. dhe nën sovranitetin ose suzerenitetin e sulltanit”. Çdo të thotë kjo? Dokumentat diplomatike franceze të kësaj periudhe na ndihmojnë për ta kuptuar. Ato na shpjegojnë veçanërisht arsyet e përdorimit, në tekstin e vendimit, të dy termave njëkohësisht: “nën sovranitetin ose suzerenitetin e sulltanit”. Na del se kjo nuk ka qenë aspak një gjë e rastit po ka pasqyruar disa ndryshime në thelb në qëndrimin e fuqive përsa i përket shkallës se pavarësisë së Shqipërisë. Në fakt këtu kemi të bëjmë me dy nocione të ndryshme që presupozonin edhe dy zgjidhje të ndryshme të problemit shqiptar. Qeveria ruse mbronte tezën se Shqipëria duhej të ishte një provincë autonome e Perandorisë turke, me disa të drejta për një organizim të veçantë, por gjithmonë brenda kuadrit të Perandorisë, (sovraniteti i sulltanit). Shumica ranë dakord për një zgjidhje kompromisi: organizimi i një shteti shqiptar me njëfarë autonomie të brëndshme, pra as provincë e Perandorisë as edhe shtet krejtësisht i pavarur (suzereniteti i sulltanit).

Ambasadorët që merrnin pjesë në konferencë nuk deshën të largoheshin nga udhëzimet e qeverive përkatëse, kështu që në tekstin e vendimit u lanë si sovraniteti ashtu edhe suzereniteti. Mirëpo me gjithë këtë ekuivok termash mund të konsiderohet se vendimi i dhjetorit shprehej për autonominë e Shqipërisë nën suzerenitetin e sulltanit. Kjo ishte sigurisht diçka e re në krahasim me të kaluarën, por nuk ishte aspak pavarësi. Kjo donte të thoshte se shteti shqiptar shpallej si shtet vasal ose autonom dhe njihte autoritetin suprem të sulltanit. Po të kemi parasysh se një shtet i tillë nuk merr pjesë vetë në marrëdhëniet ndërkombëtare, por përfaqësohet nga shteti suzeren, atëherë kuptojmë se këtu nuk mund të bëhet fjalë për njohjen e pavarësisë së Shqipërisë.

Në gjysmën e parë të vitit 1913 vazhdoi lufta diplomatike e fuqive rreth fizionomisë juridike që i duhej dhënë Shqipërisë. Në fillim të marsit Rusia cariste qëndronte akoma në pozitat e mëparshme dhe ngulte këmbë që Shqipëria, “të ruante karakterin e një province autonome të Perandorisë Otomane”. Por edhe Aleatët e saj të bllokut të Antantës, veçanërisht Franca, ia çkëshillonin vazhdimin e këtij qëndrimi duke e cilësuar atë si ireal dhe të papajtueshëm me situatën e re të krijuar në Ballkan. Nën influencën e këtyre vërejtjeve qeveria cariste u pajtua më në fund me idenë e suzerenitetit.

Mirëpo në këtë kohë Konferenca e ambasadorëve u ndodh përballë ndryshimit të qëndrimit nga ana e Austro-Hungarisë dhe Italisë. Që në fillim Konferenca e ambasadorëve u kishte ngarkuar Austro-Hungarisë dhe Italisë detyrën e hartimit të një projekti mbi organizimin e shtetit shqiptar autonom. Ky projekt u paraqit prej këtyre dy fuqive në mbledhjen e konferencës, me 8 Maj 1913. Projekti ishte në frymën e vendimit të 17 dhjetorit dhe kishte pra në bazën e vet autonominë e Shqipërisë dhe vartësinë e saj nga Turqia. Por kur mori fjalën në mbledhje ambasadori i Austro-Hungarisë Mensdorf, kërkoi ndryshimin e vendimit të dhjetorit dhe njohjen e pavarësisë së Shqipërisë. Ay solli si argument kryesor faktin se, si rezultat i disfatës së saj në luftë, Turqia ishte tërhequr nga gadishulli ballkanik dhe se tani nuk kishte asnjë lidhje territoriale midis Shqipërisë dhe Turqisë evropiane. Me këtë pikëpamje u bashkua dhe ambasadori i Italisë Imperiali.

Propozimi hasi menjëherë në kundërshtimin e përfaqësuesit të qeverisë cariste, e cila qëndronte e mbërthyer fort pas çdo formule që ruante sadopak lidhjet e vartësisë së Shqipërisë nga Turqia. Shkakun e këmbënguljes së tyre në këtë çështje diplomatët e Carit e shpjegonin duke thënë se një Shqipëri pa lidhje vartësie nga Turqia do të kthehej shpejt në një çiflig të Austrisë. Por ky nuk ishte një shpjegim i plotë. Kujdesi kryesor i qeverisë ruse ishte që Serbia të ruante shpresën për t'u shtrirë më vonë deri në Adriatik. Dhe ajo ishte e bindur se kjo mund të realizohej vetëm po qe se Shqipëria do të vazhdonte të qëndronte brenda kuadrit të Perandorisë turke, sepse “Turqia ishte për fqinjët e saj një trashëgim në perspektivë”. Kështu i pat thënë vetë ambasadori rus në Stamboll kolegut të tij francez në këtë kohë.

Më në fund, presioni i aleatëve të saj e shtyu qeverinë cariste që të tërhiqej përsëri dhe të pajtohej me idenë e pavarësisë së Shqipërisë. Këtë qëndrim të ri e çfaqi ambasadori rus në mbledhjen paraprake të përfaqësuesve të Antantës më 20 maj 1913 si dhe në mbledhjen plenare të ambasadorëve po atë ditë. Kështu pra marrëveshja e fuqive të mëdha mbi njohjen e pavarësisë së Shqipërisë mund të konsiderohet e arritur nga fundi i majit 1913. Por do të kalojnë akoma edhe nja dy muaj para se kjo njohje të marrë formën e saj zyrtare.

Pasi u la projekti i parë i 8 majit, në mes të korrikut Austro-Hungaria dhe Italia paraqitën në Konferencën e ambasadorëve një projekt të dytë. Pikërisht mbi bazë të këtij projekti Konferenca e ambasadorëve mori vendimin e njohur të 29 korrikut 1913. Ky vendim është padyshim dokumenti ndërkombëtar kryesor që i përket pavarësisë shqiptare. Ai përbën edhe etapën përfundimtare në procesin e njohjes ndërkombëtare të shtetit të ri shqiptar. Në këtë vendim thuhej se Shqipëria krijohej si “principatë autonome sovrane... nën garancinë e 6 fuqive” dhe se “çdo lidhje suzereniteti midis Turqisë dhe Shqipërisë përjashtohej”. Është e qartë pra se vendimi i dytë i konferencës së ambasadorëve ndryshon rrënjësisht nga vendimi i parë i dhjetorit. Tani është fjala për një shtet të pavarur, të lirë nga çdo formë e hapur e vartësisë ndërkombëtare, për një shtet që i ka, të paktën formalisht, të gjitha kompetencat për të dalë vetë në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Kur flitet për vendimin e 29 korrikut 1913 nuk mund të mos preket edhe çështja e vlerës që i duhet dhënë këtij akti. Shumica dërmuese e autorëve të huaj e kanë quajtur këtë vendim si dokumentin bazë që ka hedhur themelet e ekzistencës së Shtetit të ri Shqiptar. Një vlerësim i tillë është i bazuar në mospërfilljen dhe mohimin e luftës së popullit shqiptar, për liri e pavarësi. E vërteta është se populli ynë e ka arritur vetë me duart e tij pavarësinë e Atdheut dhe nuk e ka marrë atë aspak si “dhuratë”- nga kushdo qoftë, as nga fuqitë e mëdha. Populli shqiptar diti jo vetëm ta krijojë shtetin e vet në zjarrin e luftës, por edhe ta sanksionojë themelimin e tij me vendimin e Kuvendit të Vlorës të 28 nëndorit 1912. Dhe ky vendim vjen shumë kohë përpara vendimit të Konferencës së ambasadorëve.

***

Sado që u zgjat për disa muaj, lufta diplomatike rreth çështjes shqiptare nuk mori fund as me vendimin e Konferencës së ambasadorëve. Ajo vazhdoi rreth caktimit të kufinjve të Shqipërisë, rreth qeverisë shqiptare, rreth princit etj.

Me 1914 hynë në mes ngjarjet e luftës imperialiste, gjatë së cilës vendi ynë u bë shesh lufte. Me mbarimin e saj, lufta diplomatike rreth pavarësisë shqiptare filloi me forcë të re.

Arben Puto
Dana: Shqipëri

drejtbotimi © 2008 mesdimr