hulumtues   kohëndarje   bashkëfjalime  dijeni   kontakt

"Shpërngulja e serbëve" nga Kosova

e shtunë, 5 kallnor 2008

Me ushtritë austriake gjatë luftrave 1683-1699 dhe 1737-1739 u larguan nga Kosova e Serbia shumë kryengritës, besnikë të Austrisë. Duke u mbështetur në këto ngjarje, shumë më vonë, pas dy shekujsh, nisi konturet derisa u bë tezë e ashtuquajtura “shpërngulje e madhe serbëve nga Kosova dhe popullimi i saj nga shqiptarët”.

Është e vërtetë se gjatë luftës së parë, midis atyre që u tërhoqën së bashku me ushtrinë austriake, ishte Patriarku i Pejës Arsen III Cernojeviçi, së bashku me disa murgj, që, duke kaluar nëpërmjet Jenipazarit e Studenicës, u vendos në Panoni.[1] Të mbështetur në të dhënat e kishës serbe, mjaft historianë, me dashje dhe me synime politike, u vunë në shërbim të qarqeve politike nacionaliste serbe për t’i dhënë një “mbështetje” gjoja historike e shkencore politikës grabiqare ndaj tokave shqiptare të Kosovës. Ata duhej të provonin se Kosova kishte qenë në mesjetë qendër e shtetit serb dhe trevë e banuar nga serbët deri nga fundi i shek. XVII-fillimi i shek. XVIII, kur pas luftrave austro-osmane të viteve 1683-1738, një pjesë e popullsisë serbe, që kishte marrë anën e e Austrisë, na qënkësh tërhequr për në veri dhe vendin e tyre e paskan zënë shqiptarët e ardhur nga viset e brendshme të Shqipërisë së Veriut.

Historianë të tjerë, pa dashje dhe viktima të njëanshmërisë së burimeve dokumentare, u bashkuan me të parët. Kështu, u krijua një letërsi e tërë historike që s’kishte asnjë lidhje me shkencën dhe objektivitetin shkencor, por me propagandën nacionaliste. U shquan në të kaluarën autorë si A. Joviçeviç, V. Gjorgjeviç, B. Nikshiq, D. Popoviç, J. Trifunovski etj. Kjo tezë, në mënyrë të përmbledhur, ka gjetur vend në tekstin zyrtar “Historia e popujve të Jugosllavisë”, ku autor i pjesës përkatëse është Çubrilloviçi.[2]

Për “dyndjen” e madhe serbe nga Kosova janë shkruar monografi të veçanta, midis të cilave do të veçonim studimin monografik të Dushan J. Popoviç, i cili është mbështetur në burime të ndryshme, sidomos ato të kishës serbe. Ndonëse mëton se ka zgjidhur problemin në mënyrë shkencore, ai nuk ka mundur t’i shmanget plotësissht paraardhëse të tij joobjektivë lidhur me numrin e të shpërngulurve dhe të përkatësisë etnike të tyre.[3] Për çudi, në këto ujra ka rënë dhe historia disa vëllimëshe e Turqisë, e botuar në vitet 90’ të shekullit të kaluar, sipas të cilës 10 mijë vetët e shpërngulur përcaktohen si serbë.[4] Me sa duket, autorët duhet të jenë mbështetur në literaturën serbe, që nuk është e pakët edhe në Turqi.

Krahas këtij mendimi mbizotërues në historografinë serbe, ka pasur edhe një krah më objektiv, i cili e kundërshton mendimin e parë. Mund të përmendim H. Ruvaracin, themelues i historografisë serbe.[5] Qysh në vitin 1913 historiani i njohur serb J. Tomiç kishte konstatuar se në këtë “dyndje” kishte disa pika të gabuara, që përcillen nga libri në libër.[6]

Në disa vepra të historografisë austriake dhe italiane, të mbështetura në burime të besueshme, pranohet se territoret e Kosovës ishin të banuara nga popullsi shqiptare dhe përfshiheshin brenda kufinjëve të Shqipërisë.[7]

Me sa dimë, nga historografia shqiptare deri në vitet 80’ të shekullit të kaluar, nuk u ndërrmor ndonjë përpjekje serioze për të treguar të vërtetën e “dyndjes së madhe të serbëve nga Kosova”.

Në vitin 1982, studiuesi Selami Pulaha, në artikullin “Autoktonia e shqiptarëve në Kosovë dhe e ashtuquajtura shpërngulje e serbëve nga Kosova”, trajtoi katër probleme të rëndësishme: së pari, autoktoninë e shqiptarëve në Kosovë që nga lashtësia deri në prag të luftrave austor-osmane; së dyti, i mbështetur në dokumentet e komandës ushtarake austriake, ai dha të dhëna të reja për pjesëmarrjen aktive të shqiptarëve të Kosovës në luftën austro-osmane.

Së treti, për të hedhur poshtë tezën serbe rreth popullimit të Kosovës nga shqiptarët pas largimit të serbëve prej saj, ai u mbështet në studimet që u ka bërë rregjistrave kadastralë osmanë të krahinave të brendshme të Shqipërisë së Veriut (shek. XV-XVI). Së fundi, në këtë punim ai i kundërvihet në mënyrë bindëse tezës së shqiptarizimit të sllavëve me anë të islamizmit.[8]

Pak më vonë, S. Rizaj, në dy punime të tij, me të dhëna austriake, angleze e papale, tregoi se sa pa bazë e jo shkencore ishte teza e “dyndjes së madhe të serbëve nga Kosova”, duke na dhënë fakte të shumta mbi përfshirjen e Kosovës në konceptin Shqipëri, mbi karakterin etnik të Kosovës, pjesmarrjen e shqiptarëve në luftë përkrah austriakëve, etj. i mbështetur në dokumente të shumta, ai arrin në përfundimin se të shpërngulurit nga Kosova dhe Dukagjini s’kanë qenë serbë, por shqiptarë ortodoksë e katolikë dhe vllehë, sepse në atë kohë në Kosovë e Dukagjin s’ka pasur fare serbë në pikpamjen etnike dhe kombëtare.[9]

Nga dokumentet e komandës së lartë ushtarake të Austrisë bëhet e qartë se përkrah forcave austriake u rreshtuan shqiptarë, “serbë”, grekë, bullgarë, maqedonas, etj. Prej këtyre grupeve, dy ishin më të rëndësishmit dhe që ngrinin peshë: shqiptarët e “serbët”. Pavarsisht nga ndarjet fetare “albanensen, e arnautë”, shqiptarët dallohen si një etni më vete dhe llogariteshin në 20 mijë vetë, gjë që konfirmohet nga dokumentet austriake, angleze e papale.

Në vend të dytë pas shqiptarëve vinin “serbët”. Nga një përllogaritje e thjeshtë që kemi bërë del se numri i “serbëve” nuk i kalon të 3500 vetët. Me fjalë të tjera, “serbët” ishin disa herë më pak se shqiptarët. Por, sipas burimeve austriake, pas vdekjes së Pikolominit numri i shqiptarëve zbriti shumë. Kjo është e besueshme sepse edhe ushtria austriake mbeti e pakët në numër dhe, me largimin e shqiptarëve nuk ndërmori aksione të mëdha.

Pas vdekjes së Pikolominit raporti midis shqiptarëve dhe “serbëve” paraqitej kështu: Prishtinë, nga 3500 ushtarë, 1500 ishin “serbë” e shqiptarë; pranë nënkolonelit A. Znoriq kishte “serbë” e shumë shqiptarë.[10] Edhe pas disfatës së Kosovës (27 shkurt 1960), mjaft shqiptarë janë përkrah austriakëve. Më 6 mars 1690, Veterani dërgoi kundër Mahmut Pashës kapitenin toma Kolasinovin me 1500 shqiptarët e tij dhe “serbët”.[11] Shqiptarët morën pjesë në betejën në Novobërdë (17 mars 1690), ku aksioni përfundoi me fitoren austriakëve.[12] Më 26 mars 1690, Veterani urdhëroi kapitenin e shqiptarëve Strahina, me 1400 shqiptarë.[13] Komandanti i Pirotit kishte 1500 shqiptarë e 600 kalorës “serbë”.[14]

Nga këto të dhëna, nuk nxjerrim në mënyrë të saktë raportin e shqiptarëve dhe të “serbëve”, por një gjë është e sigurtë; pranë Strahinëns kishte 1500 shqiptarë dhe po aq pranë komandantit të Pirotit. Vetëm në këto dy njësi të rregullta kishte 3000 shqiptarë. Sikur në rastet e tjera t’i ndanim në mënyrë të barabartë, numri i shqiptarëve do t’i kalonte të 5000 mijë vetët. Kurse për “serbët” dimë veç 600 kalorësit serbë dhe se numri i tyre ishte ulur mjaft. Numri i shqiptarëve, edhe në përfundim të luftës ishte shumë më i madh se i “serbëve”.

Bashkë me ushtrinë austriake ishin të detyruar të shpërnguleshin aleatët, ata që qëndruan me armë në dorë deri në çastin e fundit së bashku me familjet e tyre. Përveç dokumenteve të komandës ushtarake austriake edhe dokumentet angleze dhe papale, dëshmojnë se mjaft shqiptarë qëndruan deri në çastin e fundit me austriakët. Për rrjedhojë, ata zinin vendin kryesor ndër të shpërngulurit. Gjithashtu, këto dokumente hedhin poshtë pohimet e historisë së Turqisë se u shpërngulën 10 mijë serbë. Sikur çdo luftëtar të kishte një familje prej katër vetësh, atëherë shqiptarët e shpërngulur arrinin në 20 mijë vetë. Kjo shifër përputhet me të dhënat e shtypit austriak të asaj kohe. Sipas tij, numri i të shpërngulurve vërtitej rreth 20- 30 mijë vetë.[15]

Në kundërshtim me këto të dhëna dhe me hamendje, D. J. Popoviqi shkruan se “janë gjasat se në atë kohë ishin shpërngulur rreth 60-70 mijë serbë”.[16] Mjaft bukur i ka shkuar ndër mend S. Rizajt, i cili këtë shifër e barazon me numrin e popullsisë që përfshinte Serbia e Miloshit në vitin 1830, për të arritur në përfundimin mbi ndryshimin rrënjësor të përbërjes etnike të popullsisë në favor të shqiptarëve pas kësaj shpërnguljeje.

Në llogaritjet e deritanishme, termin “serb” e kemi lënë siç është në dokumentet austriake, si grupe të veçanta pa i dhënë ngjyra etike epolitike. Kohët e fundit S. Rizaj ka arritur në përfundimin se emrat “serb”, “turk” etj, nuk tregonin përkatësinë etnike dhe aq më pak përkatësinë kombëtare. Ato tregonin përkatësinë fetare. Sipas tij me emrin shqiptar (alban, arnaut) janë shënuar shqiptarët e besimit katolik-ortodoks (të ritit greko-bizantin e latin) që njihnin papën e Romës për epror të tyre dhe muhamedian (të myslymanizuar gjatë shek XV-XVI), me emrin “serb” janë rregjistruar shqiptarët dhe vllehët e skizmatizuar gjatë shek. XV-XVI dhe me emrin turk janë rregjistruar shqiptarët dh vllehët e myslymanizuar, po ashtu gjatë shek. XV-XVI.

Po sipas këtij autori, emrat “serb” e “turk” u trilluan nga papati dhe u përvetësuan, kuptohet me ëndje, edhe nga Perëndimi. Edhe vetë shqiptarët, jo me dëshirë e vetëdije, u pajtuan dalëngadalë me këto pagëzime djallëzore.[17] Në bazë të këtij interpretimi, “serbët” në dokumentet e komandës austriake janë shqiptarë ortodoksë që bënin pjesë në juridiksionin e kishës së Pejës. Atëherë, të gjithë kryengritësit e Kosovës që u bashkuan me austriakët ishin shqiptarë. Si rrjedhim, bashkë me austriakët u larguan nga Kosova shqiptarë, vllehë e bullgarë e jo serbë.[18]

Ky përfundim do të ishte më bindës në rast e do të mbështeteshim në listat që gjenden në arkivin e Budinit. Pasi atyre t’u bëhej një analizë e hollësishme, mund të arrihej në përfundime më të argumentuara. Vetë autori pranon se fatkeqësisht ai nuk ka pasur mundësi t’i shohë ato.[19] Të dhënat e Tihomir R. Gjeorgjeviqit mbi shpërnguljen e popullit “serb” ai i kthen në shqiptarë, kurse e pranon si të vërtetë praninë e bullgarëve, shqiptarëve, grekëve, vllehëve, jevgjëve etj.[20] Studimet e mëtejshme do të flasin për vërtetësinë e këtij përfundimi interesant. Tani për tani, sikur të pranojmë se fjala “serb” është përdorur për të shënuar etninë serbe, përsëri numri i shqiptarëve është shumë më i madh se ai i serbëve.

Që shqiptarët ishin një forcë e organizuar para se të mbërrinin forcat austriake, ka shumë të dhëna. Përveç numrit prej 20 mijë kryengritësish, ka edhe dëshmi të tjera. Pikolomini, kur hyri në Kosovë, deklaroi se do të pranonte çdo shqiptar të armatosur, në rast se do të luftonte nën komandën e austriakëve.[21] Natyrisht, lind pyetja pse gjenerali u drejtohet shqiptarëve e jo serbëve. Përgjigjen e gjen po në dokumentet e komandës austriake. Shqiptarët ishin të organizuar në reparte të veçanta ushtarake të drejtuara nga oficerë shqiptarë. Ata kishin arritur deri në gradat e kapitenit e të nënkolonelit.[22]

Këto fakte tregojnë se shqiptarët e armatosur kishin hyrë në ushtrinë austriake të organizuar me komandantët e tyre. Më 27 dhjetor 1689, komanda ushtarake në Prishtinë organizoi një këshill ushtarak, i cili vendosi t’u bëjë thirrje shqiptarëve e jo serbëve, që kishin qenë pranë Pikolominit.[23] Përgjigjia ishte pozitive. Një pjesë e tyre u kthye pranë forcaveaustriake.

Karakterin shqiptar të kryengritjes në Kosovë na e jep një dokument i nisur nga Stambolli drej Vatikanit më një dhjetor: “Në rast se do të vazhdojë kryengritja e shqiptarëve (arnautëve), i gjithë vendi do të rrënohej deri në Durrës dhe ndofta edhe Greqia do të pësojë shumë dëme, sepse kudo po çohen shtetasit në kryengritje”.[24] Frika kishte mbërritur deri në Edërne, ku ua kishin frikën shqiptarëve, mbasi ata çmoheshin shumë dhe flitej botërisht që, në rast se do të lëviznin e të përparonin, të gjitha vendet e zotërimit osman në Europë do të rrënoheshin dhe as në Edërne nuk mund të ishin të sigurtë.[25]

Perandori austriak Leopoldi I, thirrjen që u drejtoi popujve të Ballkanit, e nis kështu: “Të gjithë popujve dhe krahinave që varen prej Mbretërisë sonë të trashëguar të Hungarisë dhe kujdo që do të lexojë apo të dëgjojë këtë shkresë, por së pari popullit shqiptar, u paraqesim hirin tonë perandorak e mbretëror dhe të gjitha të mirat”.[26] Renditja e shqiptarëve në rradhë të parë është shumë domethënëse, duke pasur parasysh kontributin e mëparshëm dhe besimin në të ardhmen.

Jo rastësisht perandori austriak po atë ditë i drejtoi një letër patriarkut të Pejës, që, me autoritetin e tij, të ndikonte tek shqiptarët dhe serbët e Kosovës, që të ngriheshin me armë kundër Perandorisë Osmane.[27] Flakë për flakë, e të parët shprehën gadishmërinë e tyre shqiptarët, gjë që, midis të tjerash u shpreh edhe në letrën e nisur nga Nishi më 22 prill 1690 dhe letrën e Thoma Raspasarit të 22 korrikut, për të cilat u fol më lart. Besnikëria ndaj austriakëve dhe gadishmëria për t’u hedhur në luftë të armatosur për të flakur zgjedhën osmane, u pagua shtrenjtë nga shqiptarët.

Ata provuan në kurrizin e tyre ekspeditat ndëshkimore, të cilat janë një e dhënë e tërthortë për praninë e shqiptarëve përkrah austriakëve. Mjafton të përmendim ekspeditat ndëshkimore në Surroj, Gash e në Krasniqe.

Përveç këtyre, për hakmarrje të forcave osmane ndaj zonave që bashkëpunuan me austriakët, flasin edhe shënimet e Veteranit. Sipas tij, në krahinën e Prishtinës janë 360 fshatra të mëdha e të vogla, një numër i të cilave u rrënua nga sulmet e osmanëve dhe tatarëve. Në krahinën e Trepçës, ku janë minierat e argjendit dhe të Vuçiternës, janë pothuaj aq fshatra si dhe në krahinën e Prishtinës, porse tani janë të gjitha të braktisura.

Në Novobërdë janë 60 fshatra të cilat janë ende të banuara ku ka miniera të argjendit. Izjarniku ka 30 fshatra të banuara, në Janjevë janë minierat e arit dhe argjendit dhe ka pak fshatra në të. Binaku (ndoshta Bërnica) në komunën e Rahovecit ka 60 fshatra, të gjitha të banuara, Opolja (Opja) ka 35 fshatra të banuara. Hasi dhe Letanji kanë afro 60 fshatra gjithashtu të banuara. Gjakova dhe Reka duhet t’i kenë 160 fshatra, Peja ka 130 fshatra, të cilat janë gjithashtu të banuara.[28]

Me të drejtë, S. Rizaj ka konstatuar se këto burime autentike nuk flasin për një dyndje masive të popullsisë dhe aq më pak për “dyndjen e madhe të sebëve”. Aty bëhet fjalë për rrënimin e disa fshatrave të Prishtinës për braktisjen e fshatrave të Trepçës e të Vuçiternit, kurse të gjitha vendbanimet e tjera të Kosovës mbetën të banuara.[29] Numri i fshtatrave të braktisura është i vogël në raport me fshatrat në përgjithësi. Nga ana tjetër, po të shikojmë pozicionin gjeografik të fshatrave të braktisura del se ato ndodhen në periferi të Prishtinës, të Vuçiternit e Trepçës. Me fjalë të tjera, janë ato zona që i qëndruan besnike deri në fund qeverisë austriake, ku shqiptarët ishin mbështetësit kryesorë.

Historografia tendecioze e antishqiptare pretendon se, me largimin e ushtrisë austriake, Kosova u boshatis nga serbët dhe u popullua nga shqiptarët e ardhur nga zonat malore të Shqipërisë së brendshme. Kundër kësaj teze janë dokumentet e komandës së lartë ushtarake austriake, disa prej të cilave dëshmojnë për gjendjen etnike në Kosovë e në rrafshin e Dukagjinit pak kohë para fillimit të luftës austro-osmane të viteve 1683-1699. Në krye të një fermani të mesit të shtatorit 1680 drejtuar sanxhakbeut të Vuçiternit dhe kadiut të Prishtinës, ku thuhej “që të mos pengonin veprimtarinë fetare të vikarit të kryepeshkopatës së Shkupit, Thoma Raspasarit dhe të klerikëve të tjerë katolikë”, autoritetet më të larta austriake kanë shtuar shprehjen “Rekomandime për famullinë e Prishtinës në Shqipëri”.[30] Pra, Prishtina bënte pjesë në konceptin Shqipëri.

Në një relacion të Pjetër Bogdanit të datës 24 mars 1684, midis të tjerash, thuhet se Prizreni është në administratën e kryepeshkopit të Shkupit, megjithëse ai konsiderohet se është në kufinjtë e Shqipërisë, gjuhën e së cilës ka në përdorim.[31] Koloneli Shtraser, komandant pranë Pikolominit, në letrën e shkruar nga Nishi më 18 nëntor 1689 shkruante: “Ne kemi shkuar drejt Shqipërisë për në Prishtinë.[32] Në ditarin anonim, të cilit i jemi referuar disa herë si burim mjaft i pasur, thuhet se Pikolomini u ndodh më tre të muajit të kaluar me rregjimentin e vet si dhe me atë të Shyrymit drejt Shqipërisë (Albanien – P.Th), kurse më 6 nëntor ai arriti në Prizren, i cili vlerësohet si kryeqyteti i Shqipërisë”.[33] Po në atë ditar, Peja cilësohet si një qytet në Shqipëri.[34] Thoma Raspasari memorialin drejtuar perandorit austriak e titullon “Memorial mbi Shqipërinë”.[35]

Këto të dhëna provojnë edhe një herë tjetër se krahinat e lartëpërmendura ishin pjesë e Shqipërisë dhe banoheshin prej shqiptarëve. Të dhënat e komandës ushtarake austriake mbi konceptin Shqipëri dhe mbi përfshirjen në të edhe të Kosovës e të Rrafshit të Dukagjinit përputhen me dokumente të tjera të mbledhura nga S. Rizaj, të cilat ia vlen të përmenden në këtë punim. Në rregjistrin e vitit 1688 të kadillëkut të Rumelisë, të shkruar nga Abdullah Huremoviçi prej Mostarit, rrethet e Pejës, të Alltunilisë (Gjakovë – Deçan), sanxhaku i Dukagjinit, rrethi i Prizrenit, rrethi i Suharekës, bënin pjesë në Shqipëri (Arnavutlluk).[36]

Po në këtë vit, Jegen Pasha, duke kaluar nga Nishi për në Prishtinë, pohon se ishte duke u futur në Shqipëri.[37] Me fjalë të tjera, Kosova llogaritej si pjesë e Shqipërisë. Në përputhje të plotë me këto të dhëna janë edhe ato të hartave europiane të asaj kohe. Kështu, në një hartë të vitit 1688, territori i lumit Drin është pjesë e Shqipërisë. Në një hartë të një viti më vonë, krahina e Kosovës bënte pjesë në Shqipëri.[38] Udhëtari i njohur turk E. Çelebiu, gjatë vizitës nëpër Kosovë, shkruan se popullsia e Kosovës ishte popullsi shqiptare, kurse lumi Llab që rrjedh pranë qytetit Kosovë, buron në Shqipëri.[39] Të gjitha këto fakte që dëshmojnë se Kosova e Rrafshi i Dukagjinit ishin pjesë e Shqipërisë, janë argumente bindëse mbi karakterin etnik shqiptar të atyre krahinave. Ato rrëzojnë si një kështjellë rëre tezën e shqiptarizmit të këtyre krahinave pas disfatës që pësuan austriakët nga osmanët në vitin 1690.

Sipas historografisë antishqiptare serbe, Kosova u popullua nga shqiptarët e krahinave malore të brendshme të Shqipërisë së Veriut. Ky pretendim nuk mbështetet në asnjë burim historik. Emisarët e kishës katolike do të kishin njoftuar Romën në mënyrë alarmante për këtë lëvizje të shqiptarëve nga viset e brendshme malore, si Mirdita, Dukagjini e Malësia e Shkodrës, mbasi do të zvogëlohej numri i popullsisë katolike, gjë që do të cënonte interesat e tyre. Në të vërtetë, nuk ka asnjë njoftim dhe nuk është pasqyruar në asnjë dokument. Mosdokumentimi i lëvizjeve të shqiptarëve nga zonat e brendshme malore për në Kosovë është njëra anë e problemit.

Ana tjetër po aq e rëndësishme është evidentimi i mundësisë së një veprimi të tillë. S. Pulaha, duke studiuar rregjistrat kadastralë osmanë të gjysmës së dytë të shek. XVI, ka arritur në përfundimin se popullsia e zonave malore të Veriut kishte qenë shumë e pakët. Krahinat qëndrore malore të sanxhakut të Dukagjinit, si Iballa, Spasi, Fandi i Madh, Fandi i Vogël e Puka dhe ato të sanxhakut të Shkodrës, Pulti e Kelmendi, gjatë fillimeve të pushtimit kishin 2014 shtëpi gjithësej, kurse trevat e Rrafshit të Dukagjinit e të Kosovës kishin rreth 28.000 shtëpi. Me të drejtë hamendësohet se, sikur e gjithë popullsia e malësive të kishte lëvizur, gjë që është e pamundur, nuk do ta ndryshonte karakterin etnik të popullsisë së Kosovës, në rast se kjo do të paskësh qenë krejt serbe.[40]

Mjaft studiues shqiptarë, të mbështetur në këta rregjistra kadastralë, kanë provuar se popullsia shqiptare në Kosovë e në Rrafshin e Dukagjinit ka qenë kompakte, e qëndrueshme dhe autoktone, ndërsa pakica serbe ka qenë jo e qëndrueshme, e ardhur dhe e lëvizshme. Kjo duket në shënimet që shoqërojnë kryefamiljarët si “prishllac”, “doshllac” (i ardhur) ose “hamejnegan” (shtegtar), shumica e të cilëve janë me antroponomi sllave.[41]

Popullimin e Kosovës prej shqiptarëve ne e shikojmë, në rradhë të parë, si vijim të traditës së mëparshme dhe, në radhë të dytë, si rezultat i kthimit të mjaft familjeve të shpërngulura. Tashmë, dihet se Veziri i Madhe me prejardhje shqiptare u premtoi të shpërngulurve faljen, në rast se ktheheshin në vendbanimet e tyre. Atyre do t’u kthehej toka e pasuria, do të ndihmoheshin me farë për mbjellje dhe me kafshë pune[42]. Pa dyshim, kjo thirrje pati rezultat. Mjaft prej tyre u kthyen në vendbanimet e mëparshme.

Migrimet nga vendet e brendshme të Shqipërisë së Veriut për në Kosovë, që sipas të dhënave historike dhe etnografike, u kryen gjatë shekujve XVIII-XIX, ishin lëvizje brenda të njëjtit trung etnik, ashtu siç ndodhi në vise të tjera të Shqipërisë së Mesme dhe të Jugut. Në literaturën serbe qëllimisht janë zmadhuar shumë përmasat e këtyre migracioneve. Për më keq, ato nuk janë studiuar në bazë të burimeve historike, por në bazë të të dhënave etnografike të shek. XX, të cilat nuk lejojnë të gjykosh plotësisht për ngjarjet e zhvilluara dy-tre shekuj më parë[43].

Gjatë luftës së viteve 1737-1739 nuk kemi ndonjë shpërngulje, si në luftën e fundit të shek. XVII. Ata që u shpërngulën, u vendosën në rajonet kufitare.

Shqiptarët midis perëndimit dhe lindjes 1506-1750. f. 313-322. Toena. Tiranë 2003

Shënime:

1. S. Rizaj, Kosova dhe shqiptarët dje, sot dhe nesër. Prishtinë. 1992.
2. A. Joviçeviç. Malësije naselja i pokrete stanovisto knj. XV. Beograd. 1923; V. Djordeic, Die Albanensen und die grossmachte. Liepzig. 1913; L’Albanie et Albaniais. Paris. 1913; T. Stankovic, Putne beleske po Staroj Sërbiji. Beograd. 1910; J. Cvijic, Osnove za geografiju i geologiju Makedonije i Stare Srbiji, 1906-1910. 1911; M. Filipovic, Etnicke prilike o juznoj Srbiji. Skopje. 1937; Has pod Pastrikom. Sarajevo. 1956; A. Urosevic, Kosovo. Beograd. 1965; B. Nusic, Kosovo opis zemlje i naroda. Novisad. 1962; D. Popovic, Srbi u Vojvodini. Novisad. 1957; Velika Seoba Srba. Beograd. 1954; J. Trifunovski, Kaçanicka Klisura Srbski, Etnografksi zbornik. Beograd. 1950;Istorija naroda Jugoslavije, knj. 2. Beograd. 1960 etj.
3. Y. Yucel, A. Sevim, Turkiye Tarihi. cild 3. Ankara, s. 210.
4. S. Rizaj, Kosova gjatë shekujve XV, XVI dhe XVII, f. 52. Prishtinë. 1982.
5. Po aty.
6. H. Gerba, Die Kaiserlichen in Albanien 1689. Vien. 1888; C. Contarini, Storia della guera di Leopoldi primo imperatore e dei principi collogati contro il Turco dall 1683 – fino alla pare. Venezia 1710.
7. S. Pulaha, Autoktonia e shqiptarëve të Kosovës dhe e ashtuquajtura shpërngulje e serbëve në fund të shek. XVII. Sh. 1982, nr. 1, f. 139-171.
8. S. Rizaj, Kosova gjatë..., f. 49-82.
9. I. Zamputi, S. Pulaha, Dokumente të shek. XV-XVII për historinë e Shqipërisë, vëll. IV (1675-1699), Tiranë, 1990.
10. Po aty, f. 289.
11. S. Pulaha, Autoktonia...., f. 166.
12. I. Zamputi, S. Pulaha, Dokumente..., f. 291.
13. Po aty, f. 290-291.
14. Në gazetën “Theatriz europaoi continati” 1696, cit. sipas S. Rizaj, Kosova..., f. 50.
15. Po aty, f. 75.
16. Po aty, f. 51.
17. Po aty, f. 72.
18. Po aty, f. 50.
19. Po aty, f. 72.
20. I. Zamputi, S. Pulaha, Dokumente..., f. 305-306.
21. Po aty, f. 277, 291 etj.
22. Po aty, f. 247.
23. Po aty.
24. I. Zamputi, S. Pulaha, Dokumente..., f. 315.
25. Po aty, f. 334.
26. S. Rizaj, Kosova gjatë..., f. 71.
27. Po aty, f. 68-69.
28. Po aty, f. 69.
29. I. Zamputi, S. Pulaha, Dokumente..., f. 18.
30. Po aty, f. 36.
31. I. Zamputi, S. Pulaha, Dokumente..., f. 229.
32. Po aty, f. 263.
33. Po aty, f. 289.
34. Po aty, f. 330.
35. S. Rizaj, Kosova gjatë..., f. 25.
36. Po aty.
37. Po aty.
38. E. Çelebi, Seyahatnamesi, cild 6, Dersadet, 1314-1318, cild 8, Istambul. 1928.
39. S. Pulaha, Autoktonia..., f. 163.
40. Y. Ycel, A, Sevim, Turkye...., s. 210.
41. S. Pulaha, Autoktonia...., f. 164.
42. 42
43. 43

Petrika Thëngjilli
Dana: Shqipëri

drejtbotimi © 2008 mesdimr